Një nga pikat më të rëndësishme sot të matjes së suksesit të secilit prej nesh është Instagram-i.
Megjithëse ende ka njerëz që nuk duan ta pranojnë këtë gjë, për pjesën tjetër nëse nuk je në Instagram ti pothuajse nuk “ekziston”.
Që nga 6 tetori i vitit 2010 kur doli zyrtarisht në treg po bëhen 10 vjet që ky aplikacion është pjesë e kulturës sonë të përditshme. Të gjithë mund të kenë një llogari në këtë rrjet social por jo të gjithë arrijnë ta bëjnë atë tërheqës për pjesën tjetër që i ndjekin.
Fotografitë, videot, fjalitë përshkruese, oraret, stili, komunikimi, përmbajtja në përgjithësi e asaj çfarë na përfaqëson ne si individë në sytë e të tjerëve që na shohin nëpërmjet kësaj dritareje të vogël dhe të pafundme njëkohësisht janë vetëm një listë e vogël e kleçkave që duhet të zgjidhim për të qënë tërheqës.

Ne përzgjodhëm 5 personazhe që mund t’ju ndihmojnë me vizionin e tyre dhe 5 këshilla nga ata për të pasur një Instagram të sukseshem, në përmbajtje dhe në imazh.
Tre prej tyre janë personazhe të ndryshëm me influencë në këtë platformë dhe dy janë fotografë profesionist nga më të mirët në këtë industri.

Jonida Maliqi
Këngëtare me më shumë se gjysëm million ndjekës në rrjetin social, konsiderohet ndër më të suksesshmet e viteve të fundit. Stili i pagabueshëm i saj dhe kujdesi në detaje për gjithçka shfaq në rrjetin social është ndoshta njëra nga pikat ku ajo nuk ka konkurencë por kuptohet ka edhe detaje të tjera të cilat Jonida i përdor si busull në raportin e saj me ndjekësit në Instagram.

1.Të jesh përherë e kuruar në detaje sepse ndryshe nuk do te kesh impakt.
2.Të ndash me ndjekësit e tu pak nga realiteti që të përkon në një farë mënyre lifestyle në story dhe foto gjithashtu.
3.Të jesh pozitive se askush nuk do të shohë dëngla apo njerëz të dëshpëruar dhe në rastin e kësaj të fundit në mënyrë artistike e ndan me publikun nëpërmjet një quote (shprehje)  ku të gjithë mund të gjejnë veteveten.
4.Jeta personale i kuriozon shumë të gjithë ndaj me doza të vogla mund të ndash me ta disa momente por kurrsesi të jetë qëllim në vetvete.
5.Të reagosh për kauza apo atëherë kur fjala jote mund të ketë impakt tek të tjerët dhe të ndash mendimin tënd.

PS. Instagram-i është për mua si një shtëpi me dyer të hapura për sa kohë e kam publik atë, por sigurisht çensuroj çdokënd që guxon, cënon, ofendon apo komunikon në një mënyre të shëmtuar mbi mua, personalitetin tim apo njerëzit që janë pjesë të jetës sime. Respekt pretendoj në jetën reale dhe atë virtuale. Bullizmin nuk e suportoj!

 

Odeta Banusha
Nje vajzë krejtësisht origjinale e fokusuar prej vitesh në fushën e së bukurës. Megjithëse e shkolluar për jurisprudencë kjo se ka penguar aspak Odeten të eksplorojë fillimisht blogun e modës e më pas të bëhet një prej emrave më aktivë të rrethit të influencueseve shqiptare në Instagram.
Për ata që e njohin vetëm nga Instagram-i ajo duket vajza sportive dhe energjike gjithmonë me aromë të mirë e veshur me stil, me një jetë që gumëzhin nga miqtë por aspak e zhurmshme në vetvete.
Afërsisht 30 mijë njerëz e ndjekin në Instagram dhe ndihen si të ishin shumë më shumë ndoshta prej energjisë së vazhdueshme që përcjell profili i saj.

Këshillat dhe vizioni i Odetës:
-Të krijosh identitet mendoj që është më e rëndsishmja. Kjo bëhet duke qëndruar origjinale vetëm kështu do të të ndjekin.
-Kombinimet e veshjeve dhe ngjyrave në foto. Unë kombinoj matricat 6-she gjithmonë dhe luaj me to.
-Mbaj të njëjtin filtër që të duket në një farë mënyre si një revistë që nuk ti lodh sytë e mund ta shfletosh.
-Fotot gjithmonë vertikal dhe objekti të jetë në qendër gjithmonë. Kështu krijohet një pamje jo e zhurmshme.

 

Dajana Dako
Është pjesë e grupit të pozitivitetit në Instagram.
Nga ato personazhe dhe profile që përcjell shumë, në shumë pak pompozitet. Nuk ndihet aspak imponim në postimet e Dajanës pavarësisht se 21 mijë ndjekësit e saj dashje pa dashje mundohen të kopjojnë e të marrin sadopak nga stili i saj i jetesës, dhe duket vërtet e bukur jeta në shtëpinë e thjeshtë, por me stil të Dajanës dhe portretit ideal familjar me një bebe të vogel në mes.

Dajana na tregon sekretet e saj për eminfluence.al:
-Gjithmonë kam patur nje profil me ngjyra, por së fundi ajo që kam ndryshuar është që po mundohem të mbaj nje feed me tonalitete të ngrohta. Për këtë perdor aplikacionin Tezza ku rregulloj dritën, kontrastin dhe dritëhijet.
-Mundohem që veshjet e mia në stil retro ti përshtas gjithmonë edhe me background-in.
-Nuk ndjek orare të caktuara postimesh. Mundohem të postoj minimumi një herë në ditë postim në feed.
-Instagrami e ka berë shumë të vështirë rritjen në Instagram dhe unë mundohem të jem gjithë kohës prezente tek ndjekësit nëpërmjet stories. Aty postoj çdo gjë që më pëlqen, daily life dhe çdo gjë që më inspiron.

 

Tani është radha e profesionistëve të imazhit, sepse mbi të gjitha për Instagram na duhet gjithmonë një foto e bukur që megjithëse teknologjia na ka dhënë të gjithëve mundësinë ta provojmë këtë art nuk është edhe aq e thjeshtë.
Ndaj këshillat e fotografëve mbajini shënim diku patjetër.

Armand Sallabanda

Një nga profesionistët më me emër në fushën e tij. Pothuaj të gjithë personazhet me peshë të çdo fushe në Shqipëri i kanë besuar portretin lentes së magjishme të Mandit.
I pakompromis kur flitet për artin dhe të bukurën. Megjithëse për të në një duel mes artit dhe biznesit fiton gjithmonë i pari, kur e pyetëm për disa këshilla për fotografi të bukura në instagram nuk u kursye dhe pak nga sekretet e tij artistike i ndau me ne.
I gjeni me poshtë

1.Për të bërë foto të sakta, duhet të ktheheni nga burimi i drites (dielli psh.).
2.Nëse fotot bëhen me celular, ky i fundit duhet mbajtur në lartësinë e kraharorit.
3.Mundohuni të gjeni këndin më të bukur të subjektit, për njerëzit përgjithësisht është ana e majtë.
4.Të evitosh orët e mesditës duke qenë se dielli është vertikal, pra të bëhen foto afër orareve të mëngjesit apo pasdites.
5.Nëse fotografoni një peizazh, ndajeni  kompozimin në tre pjesë, ku horizonti të mos qendrojë në mes të fotos por në një të tretën e kompozimit. Në pjesen poshtë apo lart në varësi të asaj çfarë doni të evidentoni më shumë.

 

 

Ergys Zhabjaku ndërkohë, fotogtrafin i guximshëm e që eksperimenton me dritën në një mënyrë fantastike, kërkesa jonë e gjeti shumë të hapur. Punë shumë e fjalë pak, fotografi i njohur na dorëzoi disa çelësa që zbërthejnë shumë qartë mënyrën se si janë realizuar fotografitë e pabesueshme të personazheve të njohur që janë mahnitur si të gjithë ne nga punët e tij.

Nuk është edhe aq e thjeshtë të realizosh foto aq perfekte si ato të Zhabjakut por ja vlen të mundoheni sepse tek e fundit kush nuk do të donte të kishte në profilin e tij në Instagram shkrepje si ato për Arilenën, Xhensilën apo edhe personazhe të tjerë të artit.

Ja cilat janë 5 pikat e tij:

1 .Këndi optimal.
2 .Këndi experimental.
3. Harmoria e personit me vëndin ku fotografohet.
4. Karakteri i individit.
5. Dinamika e lëvizjes.

Tani fillo nga puna sepse me këshillat e duhura mund të jesh ti nesër personazhi që do të këshillojë të tjerët. E megjithëse nuk do t’ju duket edhe aq e thjeshtë në fillim ju sigurojmë që në mos do t’i realizoni 100 përqind disa foto të bukura apo një përmbajtje tërheqëse, do arrini gjithsesi.